Historia e krijimit të Piramidës

Pas vdekjes së Enver Hoxhës u kryen një sërë ceremonish dhe në nivelet madhore të Partisë se Punës, Byrosë e të Komitetit Qendror u diskutua se si do të përjetësohej figura e udhëheqësit komunist. U hartua një program, sipas të cilit më pas u vendosën bustet e Hoxhës në qytetet kryesore vendit. Një nga pikat e këtij programi ishte dhe ndërtimi i një muzeu për Enver Hoxhën, i cili duhej të ideohej dhe të ndërtohej brenda një kohe rekord prej dy vjetësh (’86-’88) për t’u inauguruar me rastin e 80-vjetorit të lindjes së tij. Projekti ju besua arkitektit të njohur Klement Kolaneci njëherazi dhëndër i Hoxhës, i cili ngriti një grup projektimi ku merrnin pjesë Pranvera Hoxha, Pirro Vaso dhe Vladimir Bregu. Ata zgjodhën vendin dhe modelin aktual të një piramide, si modelin më të përshtatshëm për funksionin e një muzeu. Në sheshin ku sot është kryeministria dhe Piramida në atë kohë kanë qenë 3-4 ndërtesa 2-katëshe, Drejtoria e Dytë që merrej me sigurimin e udhëheqjes, ish-shtëpia e Kadri Hazbiut dhe disa shtëpi të tjera që u shpronësuan.

Comments